Lajme

Njoftim me rëndësi për pensionistët nga Ministria e Financave

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka thënë se të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive duhet të paraqiten në Departamentin e Pensioneve në regjionet ku jetojnë deri me datën 12 gusht.

Përmes një njoftimi për media nga MFPT-ja thuhet se për personat me probleme shëndetësore vizita mund të bëhet në mënyrë mobile nga zyrtarët e këtij departamenti.

“Rikujtim lidhur me paraqitjen fizike të përfitueseve të skemave pensionale Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin dhe të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive se afati i paraqitjes fizike në objektet e Departamentit të Pensioneve në regjionet ku jetojnë apo vizitës mobile nga zyrtarët e këtij Departamenti (për personat me probleme shëndetësore) do të përfundojë me datë 12.08.2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Financave, Punës dhe Transferve

Tutje, nga Ministria thonë se në rast të mos kryerjes së obligimit ligjor dhe përfituesi nuk është i lajmëruar brenda 6 muajve të fundit të këtij viti pranë Departamentit të Pensioneve, do të pezullohet nga pagesa sipas procedurave ligjore./Shqip.com