Lajme

Njeriu i VV-së zgjedhet kryetar i Bordit të BQK-së

Bashkim Nurboja, ish-kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në njoftimin e BQK-së bëhet e ditur se Nurboja do të jetë në vend të Flamur Mrasorit të cilit i ka përfunduar mandati.

Bashkim Nurboja ishte edhe kandidat i VV-së për kryetar të Pejës dhe para këtij emërimi, ishte anëtar në Bordin e Bankës Qendrore që nga viti 2021.

Ai arriti të fitoj 51 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke lënë mbrapa katër kandidatët e tjerë që ishin në garë për një vend në bordin e BQK-së.

Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 5 fletëvotime. Bashkim Nurboja ka fituar 51 vota, Bedri Peci 12 vota, But Dedaj 11 vota, Kosovare Ukshini 2 vota, Mimoza Mustafa 5 vota. Komisioni ka konstatuar se kandidati Bashkim Nurboja ka fituar votat e mjaftueshme”, kishte konstatuar deputeti Salih Zyba nga LVV-ja nga komisioni ad-hoc.

Bashkim Nurboja, aktualisht Profesor në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, në të kaluarën ka shërbyer edhe në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në Qeverinë Kurti I, në periudhën prill-qershor të vitit 2020.

/Shqip.com