Lajme

Njeriu i Vetëvendosjes zgjidhet kryeshef i “Ibër-Lepencit”

Ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, që nga e marta e 6 dhjetorit pritet të fillojë një punë të re, si kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në atë interpretim, ZKM-ja kishte thënë se edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike duhet të jetë i pavarur, pra nuk duhet të ketë poste politike dhe të jetë pjesë e organeve vendimmarrëse të partive politike në 36 muajt e fundit. 

Faruk Mujka e ka drejtuar degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 duke marrë 8,647 vota në garën për asamblist të Komunës së Mitrovicës Jugore. Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore deri në fund të vitit 2021.

Ai madje e kishte nënshkruar në vitin 2021 sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, në mungesë të kryetarit, Agim Bahtiri, që kishte mundësuar futjen në rendin e ditës në seancën e Kuvendit Komunal diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e pronës në qendër të qytetit, të ish-objektit të bibliotekës.

Në vendimin e bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarjeje thuhet se ish-kandidati për deputet nga Vetëvendosje dhe ish-nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, do të jetë në krye të “Ibër-Lepencit” për një mandat trevjeçar.

Në një përgjigje për Kallxo.com, Mujka ka thënë se Lëvizja Vetëvendsoje nuk e ka ndihmuar që të zgjidhet kryeshef në “Ibër-Lepenc”.

“A ka ndiku partia? Për besë s’e di çka te them unë ty” – ka thënë ish-numri një i Vetëvendsojes në Mitrovicë. “Unë kam aplikuar me idenë dhe besimin që mundem me kontribu edhe për shkak të përgatitjes time si inxhinier i ndërtimtarisë për një kompani si “Ibër-Lepenci” për shkak të eksperiencës dhe CV-së që e kam edhe për shkak se e di punën e “Ibër-Lepencit” se këtu jam rritë, edhe kam apliku” – tha tutje Faruk Mujka.

Ai thotë se bordi nuk e ka favorizuar atë, anise Mujka kishte pozita të larta në partinë e cila aktualisht drejton Qeverinë e Kosovës.Mujka ka thënë se vendimi për zgjedhjen e tij është publikuar dhe se ai pritet që të marrë drejtimin e ndërmarrjes më 6 dhjetor 2022.

Deri para një viti, Mujka ishte kryetar i degës së LVV-së në Mitrovicë. Ai gjithashtu ishte nënkryetar i Këshillit të Përgjithashëm të Lëvizjes Vetëvendsoje.

“Mua ma merr mendja, ky është mendimi im subjektiv, ma merr mendja që edhe në intervistë edhe në CV edhe me të gjitha, e kam merituar atë vend. Bordi qysh e di është zgjedhur me konkurs, nuk është bord i emëruar. Çka kam faj unë që tash ajo parti është në pushtet, çka me bë ne…” – tha ai.

Bordi i ndërmarrjeve publike zgjidhet me konkurs por i takon Qeverisë së Kosovës që nga lista e kandidatëve që i plotësojnë kushtet të zgjedhë dhe emërojë anëtarët e bordit të një ndërmarrjeje publike.Mujka nuk ishte kandidati më i poentuar në garën për kryeshef të ndërmarrjes.

Rezultatet nga intervistimi i pesë kandidatëve, Mujkën e rënditën në vend të dytë me 60 pikë, aq sa kishte edhe vendi i tretë. Në vendin e parë ishte rënditur kandidati Luan Hoti.

Hoti është pyetur nëse do të ankohet ndaj vendimit të bordit por ai nuk është përgjigjur.

Anëtari i bordit të “Ibër-Lepencit”, Muzafer Luma ka një shpjegim pse nuk është emëruar kandidati më i votuar.“Ne e kemi bërë listën dhe i pari ka dalë tjetërkush, jo Faruku, ka dalë Luan Hoti, por Luani është tërhequr ndërkohë shkaku i ruajtjes së integritetit, siç na tha ai.

Ai ishte jashtëzakonisht i përgatitur, por ai është tërhequr” – ka shpjeguar anëtari i bordit, Muzafer Luma. Pasi është tërhequr nga gara Hoti, Luma thotë se në garë kanë mbetur dy kandidatë me pikë të njëjta, por ata kanë vendosur për Mujkun.

Ai thotë se përzgjedhjen e Mujkut nuk e kanë bërë për shkak të kaluarës së tij të lidhur me partinë në pushtet, por për shkak se i njëjti është inxhinier dhe e njeh Mitrovicën, atje ku është aseti kryesor i kësaj ndërmarrjeje.

Luma ka thënë se Vetëvendosja nuk ka ndikuar te bordi për zgjedhjen e kryeshefit të “Ibër-Lepencit”.

/Shqip.com