Art Jetese

Njerëzit me depresion rrezikojnë të kenë goditje në tru

Depresioni dhe problemet e tjera të shëndetit mendor mund të rrisin më shumë mundësinë për goditje në tru, kanë zbuluar dy studime.

Në të parën, njerëzit që raportuan simptomat më të këqija të depresionit – duke pranuar se “kishin hequr dorë nga përmirësimet e jetës” – u zbulua se kishin rrezikun më të madh të një goditjeje në tru.

Hulumtimi i botuar në revistën Neurology, zbuloi se para se të pësonin një goditje, të mbijetuarit kishin 46 për qind më shumë gjasa të kishin depresion në krahasim me një grup kontrolli njerëzish që nuk kishin pasur një goditje në tru. Studimi gjithashtu sugjeroi se njerëzit në depresion e kishin më të vështirë të shëroheshin pas një goditjeje.

Një studim i dytë ekzaminoi të dhënat e njerëzve me gjene të njohura të lidhura me depresionin, çrregullimin bipolar dhe çrregullimin afektiv sezonal dhe zbuloi se ata me rrezikun më të lartë gjenetik kishin më shumë gjasa të pësonin një goditje në tru.

Shkencëtarët e Universitetit Lund pas analizës thanë se të dhënat e tyre treguan se këto probleme të shëndetit mendor shkaktuan goditje në tru dhe jo anasjelltas.

Ata sugjeruan nëse njerëzit do të kontrolloheshin për gjenet e çrregullimit të humorit, atëherë ata mund të këshilloheshin se si të menaxhonin më mirë faktorët e tjerë që dihet se rrisin rrezikun e goditjes në tru.

Problemi shfaqet kur furnizimi me gjak në tru ndërpritet, duke vrarë qelizat e trurit. Dëmi mund të çojë në paaftësi afatgjatë dhe të ndikojë në mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe ndjehen. Shkaku më i zakonshëm është një bllokim nga një mpiksje gjaku në arteriet që furnizojnë trurin. Kjo ndodh për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, kur enët e gjakut ngushtohen ose bllokohen me kalimin e kohës nga depozitat yndyrore të njohura si pllaka – një proces i njohur si ateroskleroza.

Ndërsa kjo mund të ndodhë për shkak të moshës, faktorë të tjerë rreziku përfshijnë duhanin, presionin e lartë të gjakut, obezitetin, nivelet e larta të kolesterolit dhe diabetin.

Dihet gjithashtu se njerëzit me çrregullime të humorit kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, por kjo lidhje nuk është kuptuar plotësisht.

/Shqip.com