Kulturë

Një udhëtim artistik në kërkim të rrënjëve

Binak Kelmendi - “Demë Dedë Boga”
Binak Kelmendi - “Demë Dedë Boga”

(Analizë për romanin më të ri të shkrimtarit të njohur Binak Kelmendi “Demë Dedë Boga”, botim i Shtëpisë Botuese “Koha”, Prishtinë, 2023)

Shkruan: Albana Beqiri

Romani më i ri i Binak Kelmendit i titulluar “Demë Dedë Boga” mund të lexohet edhe si një udhëtim në vendlindje, atje ku nis gjithçka, jeta biologjike dhe ajo shpirtërore të cilat pastaj kalojnë nëpër spirale të mëdha e të forta të kërkimit dhe krijimit të identitetit, njohjes dhe rinjohjes së vetvetes përmes kthimit te rrënjët dhe tradita.

Prandaj, ky roman mund të klasifikohet edhe si roman në kërkim të rrënjëve, të thënave dhe të pathënave për një histori të njohur shqiptare e cila i shtrin fillesat diku në shekullin e 17, në Bogë të Rugovës, e që më pas gjatë rrëfimit ndërton artistikisht një histori familjare e shoqërore që të befason e të shtang sikur ta dëgjosh për herë të parë.

Autorin “e shqetëson”, kushtimisht ta quajmë kështu, historia e konvertimit të paraardhësit të tij, Dedë Calit, të parit të lozës së tij që u konvertua në mysliman, prandaj kthehet pas në kohë dhe përmes rrëfimeve të bartura gojë më gojë ndërton artistikisht mjedisin e asaj kohe, me rrëfime brilante të shpërndara në 29 kapituj të vegjël, nëse mund t’i quajmë kështu, të cilët lidhen mes veti me një rrjedhë logjike, por edhe emocionale, duke na e sjellë të plotë historinë e familjes së tij, që në të vërtetë është e ngjashme me historinë e secilës familje të asaj treve dhe asaj kohe.

Meqë fakte historike e të dokumentuara ka pak, kërkimi në të kaluarën, kërkimi që nis te Deda i cili më vonë u shndërrua në Demë, autorit, i cili që në krye e ka pranuar lidhjen emocionale me historinë që ka marrë përsipër të rrëfejë, i është dashur të thërrasë në ndihmë imagjinatën për të filluar artistikisht gërmimin në të kaluarën, prandaj dhe këtë “peshë” apo “barrë” ua ka besuar dy personazheve: Antropologut dhe Etnologut. E kush më mirë se një antropolog dhe një etnolog do të mund të gërmonte në të kaluarën për ta sjellë para nesh si një mozaik të mrekullueshëm jete të Bogës (Pejë) të shekullit XVII-të që gëlon nga një miksim interesant e i natyrshëm i realitetit, mitit, përrallës, besëtytnive dhe fantastikes?

Artistikisht dhe fizikisht (përmes dy personazheve të mësipërme) autori e dërgon lexuesin në vendlindjen e tij dhe të të gjithë të parëve të tij, përmes një udhëtimi që ndalet në 29 stacione, në të cilët zbresin e ngjiten dhjetëra personazhe, por kryesori, Deda apo Dema është gjithmonë i pranishëm, qoftë edhe me mospraninë e tij. Tek e fundit edhe ekspedita që ata ndërmarrin për zbulimin e rrënjëve dhe hulumtimin e origjinës nuk shkon (gjeografikisht) përtej Vorrit të G’jatë apo Vorrit të Bab’s, varrit të vetmuar të Demë apo Dedë Bogës.

Në këtë udhëtim, përmes kronikave shpesh pa autor e të lexuara nga Etnologu, i cili hera herës duket sikur është vetë rrëfimtari që me Demë apo Dedë Bogën e lidh vija e gjakut, lexuesi mbërrin në Bogë dhe përveçse viziton pikat gjeografikisht më strategjike të saj (Kërshi i math, Sheu i vogël, Shpella e Kafçe, Gurra e Demës, Kisha e katundit, Hani i Bogës etj), përjeton po ashtu histori të gëzuara si p.sh., lindja e Dedë Bogës apo edhe histori të trishta e të dhemshme si heqja e kryqeve nga Hani, diegia e Kishës së katundit, vrasja e Demë Bogës apo edhe histori të trishta të rrëfyera me tise të holla ironie si p.sh., falja e bajramit të parë nga narratori apo edhe momenti kur Deda tashmë i shndërruar në Dedë përmbush edhe ritualin e fundit të konvertimit në mysliman: bërjen synet! Por jo vetëm kaq, lexuesi futet dhe interferon me të njëjtin intensitet edhe në botën fantastike të miteve, legjendave, përrallave, dokeve e riteve të trevës së Bogës, duke u bërë padashjen e tij, pjesë e tyre.

Kryepersonazhi, i cili i ka dhënë edhe titullin romanit është përshkruar vërtet me nota tragjike, por edhe me dashuri e butësi, narratori sikur e merr në përkujdesje paraardhësin e tij që s’dihet pse vendosi që sipas parimit: njeriu e zgjedh fenë dhe jo feja njeriun, të zgjedhë fenë e “të përçudshmëve të panjohur”. Shndërrimi i Dedës në Demë nuk është i përmenjëhershëm, as i prerë si me thikë, edhe pse nuk dihet si mbërriti deri te ai momenti që vendosi të konvertohet përkundrejt faktit se për këtë i kishte kundër të gjithë, prindërit e tij Calin e Vaken, dy miqtë e tij të fëmijërisë si dhe krejt katundin, nuk është se ai u zgjua një mëngjes dhe ashtu befas vendosi të shndërrohet në delen e zezë të familjes dhe krejt Bogës. Përkundrazi, dilemat dhe dyzimet e ndjekin gjatë, janë dilema të natyrës egzistenciale ato të Dedës së shndërruar në Demë. Ai zgjedh të ndërrojë fenë, por jo rracën, fisin, rrënjët, etnitetin e tij. Dilema rrjedh damarëve të identitetit të tij, pa e ndryshuar megjithatë atë. Heqja e kryqit nga Hani i Bogës dhe djegia e Kishës e dërrmojnë Demën, Deda brenda tij nuk e ka harruar fenë e parë, ai madje as që mundohet t’i konvertojë gruan dhe fëmijët e tij, në një mënyrë apo një tjetër pas dilemave të shumta si p.sh., rezistenca e mosngutja për t’u bërë synet e “ndëshkimi” i vetvetes duke përzgjedhur anestezionin me hithra, Dema ja del të bashkëjetojë në paqe me Dedën deri në ditën kur në moshë të thyer e vrasin pabesisht.

Është e habitshme sesi autori ja ka dalë që përmes historive dhe personazheve të një fshati të veçuar malor të realizojë artistikisht tablonë e ndryshimeve epokale dhe të rrëfejë në fakt historinë e shoqërisë shqiptare duke përfshirë një gamë të gjerë kohore.

Ngjarjet e romanit “Demë Dedë Boga” sikur të kenë fjetur gjatë brenda vetëdijes së autorit, shpërthejnë befas duke e çliruar atë nga barra e bartjes gojë më gojë, e duke u dokumentuar artistikisht si dëshmi për pasardhësit.

Narratori vërtet i nis Antropologun dhe Etnologun në një ekspeditë në kërkim të rrënjëve, të cilat janë të ngulura thellë në kujtesën vetanake dhe atë kolektive, por rrënjët që ai kërkon i ka brenda vetes, ato janë bartur si rrëfime gojore për shekuj, rrënjë që janë bërë një me kujtesën.

Për fund, gjuha e romanit është e pasur dhe e zhdërvjellët, ajo rrjedh natyrshëm duke reflektuar tempon e ecurisë së ngjarjeve, njëjtë si stili i të shkruarit dhe kompozicioni i veprës. Ndërkohë, koloriti i të folmes së Rugovës i jep një vlerë të veçantë e të shtuar gjuhës, duke i bërë personazhet, psikologjinë dhe dilemat e tyre më të besueshme e më të perceptueshme nga lexuesi.

/Shqip.com