Lajme

Një polic dyshohet të ketë qenë i përfshirë në plagosjen në veri

Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Një zyrtar policor dyshohet se është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri në incidentin që ka ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media, ku thuhet se pas hetimeve të pandërprera është arritur që të sigurohen dëshmi të tilla.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri.

Gjithashtu Policia ka bërë të ditur se po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

Policia e Kosovës thotë se do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale.

/Shqip.com