Lajme

Një person ndalohet nga Prokuroria në Prishtinë, mashtroi qytetarët me viza dhe kontrata pune

Foto: Ilustrim
Foto: Ilustrim

Një person është ndalur për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë  sepse është akuzuar për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Në këtë rast janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë mashtruar qindra qytetar.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

I dyshuari thuhet se për dy vjet, së bashku me personat e tjerë kanë mashtruar qytetarët kinse do iu sigurojnë viza pune jashtë shtetit.

Po ashtu, ata kanë hapur edhe agjencinë e tyre me dokumente të falsifikuara.

“I pandehuri V.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar qindra qytetarë, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur dhe përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Aplikantët apo viktimat kanë marrë kontrata pune të pavërteta nga të dyshuari si dhe kanë paguar shuma parash me premtimin se do marrin vizat.

Ndërsa, kur viktimat kanë kërkuar që të kontaktojnë me përgjegjësit ata nuk janë lajmëruar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm e ka cilësuar se të dëmtuarve nga rasti iu është shkaktuar dëm material./Shqip.com