Lajme Botë

Një person hap zjarr në një shkollë në Rusi, vret 13 persona dhe plagos 21 të tjerë

Një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë në Rusinë qendrore, duke vrarë të paktën 13 persona dhe duke plagosur 21, thonë zyrtarët rusë.

Viktimat përfshijnë shtatë fëmijë në shkollën me rreth 1000 nxënës në qytetin e Izhevsk, raporton BBC.

Personi i armatosur vrau veten në vendngjarje. Ai ishte një ish-nxënës i shkollës.

Shtatë fëmijë dhe gjashtë të rritur u vranë, duke përfshirë dy roje sigurie dhe dy mësues, sipas zyrtarëve rusë. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesat e shkollës.

Një deputet lokal tha se sulmuesi – i quajtur Artem Kazantsev – kishte qenë i armatosur me dy pistoleta.

Kreu i qarkut ka shpallur periudhë zie deri më 29 shtator. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin tha se ai është “thellësisht në zi” për sulmin.

Shkolla është në qendër të Izhevsk, një qytet me rreth 650,000 banorë, afër ndërtesave të qeverisë qendrore./Shqip.com