Lajme

Një person dyshohet se ka kaluar kufirin ilegalisht dhe ka kontrabanduar mallra, i gjenden edhe para të gatshme

Një person është ndaluar nga policia kufitare në magjistralen Bërnjak-Mitrovicë, pasi i njëjti dyshohet se ka kaluar kufirin ilegalisht.

Përveç kësaj, në veturën e personit të ndaluar kishte edhe mallrat ë cilat dyshohen se janë të kontrabanduara.

“Në rrugën magjistrale Bërnjak- Mitrovicë, në afërsi të liqenit të Ujmanit, Njësitë e Policisë Kufitare (NJNSH – Veri), kanë ndaluar një veturë me vozitës mashkull kosovar, i cili dyshohej se kishte kaluar kufirin ilegalisht dhe në veturë kishte mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Mallrat në të cilat ka hasur policia gjatë kontrollit të tyre janë: goma, salveta, zbutës për rroba, gjëra ushqimore dhe para të gatshme.

 “Pas kontrollit në automjet është hasur në një sasi të mallrave të ndryshme si: fellne të reja (4 copë), salveta (palloma-disa pako), zbutës të rrobave, pako me gjëra të ndryshme ushqimore (çokolata, qumësht, pije të gazuara, jogurt, pelena etj.) Po ashtu gjatë kontrollit në automjet dhe në çantë të krahut, i njëjti person ka pasur në posedim para të gatshme (5010 euro si dhe 128.250 dinar)”.

Pasi është konsultuar prokurori, rasti është hapur si “Kalim ilegal i kufirit” dhe “Kontrabandim me mallra”, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

PK-ja ka njoftuar se malli i konfiskuar i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme si dhe parat i janë kthyer pronarit./Shqip.com