Lajme

Një muaj paraburgim për shtetasin serb që u arrestua në Gazimestan

Nikolla Nedelkoviqit nga Beogradi, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 28 qershor, në Gazimestan afër Prishtinës, për “nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare”, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë avokatja Jovana Fillipoviq.

Dhjetëra serbë ishin mbledhur dy ditë më parë për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Obiliqit, një festë serbe që festohet më 28 qershor, në kujtim të Betejës së Kosovës të zhvilluar në vitin 1389.

Pikërisht në Gazimestan, më 28 qershor 1989, ish-presidenti i Serbisë, e më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç mbajti një fjalim para dhjetëra mijëra serbëve, në të cilin ai nuk përjashtoi “betejat e armatosura”.

Policia e Kosovës nuk i kishte lejuar disa serbë që t’i afrohen vendit në Gazimestan, ku po shënohej Vidovdani, pasi bartnin fanella provokuese, si hartën e Kosovës dhe katër shkronjat “S”.

Viteve të kaluara, të pjesëmarrësit serbë janë gjetur edhe armë të ftohta, ndërkohë që edhe ka pasur arrestime për shkak të provokimeve./Shqip.com