Lajme

Një muaj paraburgim për shtetasin malazez që u arrestua në Gazimestan

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim shtetasit të Malit të Zi me inicialet R.J., i cili u arrestua dy ditë më parë në Gazimestan, njofton Shqip.com.

Ai u arrestua nën dyshimet për “nxitje të përçarjes dhe mos durimit”.

Sipas gjykatës “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.J. ka kryer veprën penale ‘Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit’ pasi që me datën 28.06.2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i ‘Gazimestanit’, i pandehuri, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Tutje bëhet e ditur se “i dyshuari gjatë manifestimit te përvjetorit të njohur si ‘Vindov Dan’, i njëjti publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur, ‘Vrite shqiptarin’, ‘Kosovën do ta lajm me gjak’, ‘Kosova është Serbi’, kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se ‘shqiptarët do ta kenë ngushtë’, duke rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës”./Shqip.com