Lajme

Një muaj paraburgim ndaj policit që dyshohet për ngacmim e dhunim

Gjykata Themelore në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh zyrtarit policor, E.S., që dyshohet për kryerjen e veprës penale “ngacmim” dhe “dhunim”.

Në njoftim thuhet se “me datë të pa caktuar të muajit janar 2022, në shtëpinë e tij në Gjakovë, ka kryer marrëdhënie seksuale me personin tjetër, përkatësisht me të miturën …. …… e lindur 2006, me të cilën i pandehuri ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie, ndërsa në janar të vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e saj të re, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçe, me të ka kryer marrëdhënie seksuale. Me datë të pa caktuar të muajit nëntor 2023, i pandehuri edhe pse në dijeni se tashmë e dëmtuara …. …… është në lidhje tjetër dashurie, vazhdimisht i shkruan që ti kthehet lidhjes, sjellje kjo tek e dëmtuara e përciellur me shqetësim pasi që në dhjetor të vitit 2022, e kishte ndërprerë lidhjen”.

Gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase është vepër penale e ndjeshme.

Lexo edhe:
Arrestohet një zyrtar policor i dyshuar për ngacmim dhe dhunim

“..Kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe më herët, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një zyrtar policor në Gjakovë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngacmim” dhe “Dhunim”.

Sipas njoftimit të IPK-së, ky institucion ka pranuar informacione dy ditë më parë nga Policia dhe ankuesja, e cila e ka denoncuar rastin për të cilin ky zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast përmes disa fotove dhe video incizimeve. Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Më tej bëhet e ditur se do të ndërmerre edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar rrethanat që ndërlidhen me këtë rast.

/Shqip.com