Rozë

Një mijë euro gjobë për vajzën që plagosi Vali Corleonen

Vajza që plagosi Vali Corleonen është dënuar me një mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, vajza ishte akuzuar se nën ndikimin e substancave narkotike kishte kryer veprën penale duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit.

Në rast se e akuzuara nuk e paguan gjobën, dënimi me gjobë i zëvendësohet në dënim me burgim prej 50 ditësh.

Paraprakisht, në seancën e sotme e akuzuara A.S. përmes avokatit të saj Ramadan Leka ka pranuar fajësinë për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte akuza.

Vajza dhe Corleone, kanë deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në mënyrë aksidentale dhe se e njëjta kishte ardhur si pasojë e ndikimit të substancave narkotike.

Mbrojtësi i të pandehurës, avokati Leka ka kërkuar nga trupi gjykues që për të mbrojturën e tij të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, duke iu referuar të kaluarës së saj të shkëlqyer dhe arritjeve të rëndësishme edhe në gara ndërkombëtare të diturisë, pendimit të shprehur para trupit gjykues, si dhe  zotimit të saj publik se nuk do të përfshihet në asnjë lloj vepre tjetër penale në të ardhmen.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturës së tij t’i hiqet masa e paraburgimit dhe t’i shqiptohet dënim alternativ me gjobë.

Prokurorja Bahtije Ademi, nga ana tjetër, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurës për të tre veprat penale që i ngarkohen.

Ajo ka kërkuar nga trupi gjykues që të pandehurës t’i shqiptohet dënim adekuat në konsideratë të rrethanave në të cilat janë konsumuar veprat penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 11 gusht 2022, e pandehura A.S, në Gjilan nga pakujdesia kishte shkrepur me armë, duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e dy të pranishmëve tjerë në dhomën e objektit të banimit ku po qëndronin Valentino Corleone dhe mysafirja e tyre M.Zh.

Tutje, sipas aktakuzës, vajza kishte goditur Corleonen në këmbën e djathtë, në pjesën e muskulit nën gju, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Ndryshe, Vali Corleone edhe më herët ishte përfshirë në veprat të ngjashme penale, por në cilësinë e të akuzuarit.

/Shqip.com