Kulturë

“Një Komb, një ABC”, ekspozitë e DPA në Prishtinë

Ekspozita dokumentare dhe fotografike “Një Komb, një ABC” përfundoi turin e saj shëtitës në një tjetër qendër të shqiptarisë, në Prishtinë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ka prezantuar në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, eskpozitën që nxjerr në pah përpjekjet për standartizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido nënvizoi se Kongresi i Manastirit dëshmoi largpamësinë e elitës politike dhe kulturore të kohës, si edhe vlerat europiane të shqiptarëve.

“Kongresi i Manastirit është kulmimi i formësimit të identitetit kombëtar. Nëse çështja e alfabetit do të vendosej pas Pavarësisë, do t’u jepnim fqinjëve terren për të na përçarë dhe për të prodhuar identitete të veçanta. Në dritaren e vetme që shqiptarët kishin para Pavarësisë, u bashkuan mbi baza etnike për të arritur një vendimarrje kaq të rëndësishme, që na mundësoi që të frymojmë si “një” i vetëm”, u shpreh kreu i DPA-së.

Mandej, Bido u ndal tek Kongresi i Drejtshkrimit, duke vlerësuar se në vazhdën dhe në shembullin e Kongresit të Mananstirit, në vitin 1972, shqiptarët u bashkuan nga mbarë trevat për të vendosur standartin e gjuhës shqipe.

“Kongresi i Drejtshkrimit është rrjedhojë e Kongresit të Manastirit. Ndodhi në ditë të zeza për vendin, nga një regjim komunist, por që bëri një ‘akt të bardhë’, standartizimin e gjuhës shqipe. U vendos që të ecej para pikërisht atëherë kur mundën të vinin delegatë nga gjithë ish-Jugosllavia, arbëreshë të Italisë, pra të gjithë shqiptarët etnikë, me përjashtim të arvanitasve, për të vendosur bashkarisht mbi standartin e gjuhës tonë. Kështu, janë mbyllur debate të mëdha që do të prodhonin përçarje pas viteve ’90-të”, përfundoi Bido.

Mes materialeve të AQSH-së të përzgjedhura për ekspozim, gjendeshin:

Foto të anëtarëve të Komisionit për Çështjen e Alfabetit;

Ndërtesa ku zhvilloi punimet Kongresi i Alfabetit në Manastir;

Vendimet e Komisionit për Çështjen e Alfabetit me nënshkrimet e Komisionit dhe të delegatëve;

Kujtime të Parashqevi Qiriazit për zhvillimet e punimeve të Kongresit të Manastirit.

Ky aktivitet u zhvillua me rastin e 115-vjetorit të punimeve të Kongresit të Manastirit.

/Shqip.com