Lajme

Një i vdekur e tre të plagosur në një lokal në Runik të Skenderajt

Shiriti i policisë
Shiriti i policisë

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Runik të Skenderajt. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate.

Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.

Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i  cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës, si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.

Ndryshe, burimet e portalit lokal Rajoni brenda stacionit policor në Skenderaj kanë mësuar ekskluzivisht se viktima është Negjmedin Loshi, 39 vjeç nga fshati Pemishtë i Skenderajt.

Ndërsa ka mësuar ekskluvisht se të plagosur kanë mbetur: Qendrim Januzi [i lindur 1991], Fidan Januzi [i lindur 1982], Muhamet Ramadani [i lindur 1988].

Policia ka njoftuar se nga hetimet e para dyshohet se dy persona kanë hyrë në një kafiteri dhe kanë shtënë, ndërsa policia i ka nisur hetimet e në vend ngjarje janë gjetur disa gëzhoja.

Trupi i viktimës është dërguar në obduksion ndërsa të dyshuarit janë në kërkim të policisë.

/Shqip.com