Lajme

“Një histori suksesi” – flet mjeku kosovar i cili do të shërbejë si drejtor në AstraZeneca

Mjeku kosovar, Arbër Shehu

“Për të zhvilluar një karrierë të mirë dhe të arritur duhet sakrificë të cilën e kam pranuar ta bëjë”.

Kështu e ka filluar intervistën për SHQIP.com mjeku kosovar, Arbër Shehu, i cili nga 28 nëntori do të shërbejë si Drejtor i Asociuar Mjekësor në AstraZeneca.

Ai ka thënë se këtë pozitë e ka fituar pas një përgatitje të gjatë profesionale – dhe sipas tij përzgjedhja ka qenë rigoroze.

“Pas shumë punë, mund dhe përgatitje në aspektin profesion ishte momenti për të dhënë një kontribut tjetër në fushën e biofarmaceutikës. Pas përzgjedhjes rigoroze dhe intervistave të shumta arrita që të marrë këtë detyre dhe përgjegjësi”.

Shehu ka treguar se në SHBA ka shkuar fillimisht për trajtime dhe studime, por që më pas është punësuar.

“Në SHBA kam ardh për trajnime në vitin 2015 pas përfundimit të fakultetet të Mjekësisë. Pastaj edhe vazhdova studimet post diplomatike në “Universitetin e James Madison”, para se të punësohem në Johns Hoopkins-ku jam aktualisht”.

Ai ka treguar se gjatë këtyre dy viteve të fundit ka bërë hulumtime në efektin e vaksinave kundër COVID-19.

“Në dy vitet e fundit kam punuar në hulumtim klinik në lidhje me efektin e vaksinave te COVID-19 në mbrojtje ndaj hospitalizimit”, tha ai për SHQIP.com

Mjeku kosovar më tej ,ka komentuar edhe mjekësinë në Kosovë, për të cilën ka thënë se nuk qëndron mirë.

“ Shëndetësia në përgjithësi është një fushë jostabile, sepse shëndeti cenohet në çdo moment. Në Kosovë fatkeqësisht nuk qëndron mirë. Kjo mund të jetë për shumë faktor, por që në detaje nuk i di edhe shumë mirë. Shpresojë që të bëhet mirë, dhe do të jetë nëse kjo është prioritet nga organet përkatëse”.

Tutje i pyetur nëse do të kthehej në Kosovë për të kontribuar në këtë fushë, ai kishte një përgjigje të shkurtë.

“Nuk e kam menduar një gjë të tillë ende”.

Ndryshe, nga nëntori Shehu do të shërbejë si Drejtor i Asociuar Mjekësor në AstraZeneca.

Madje, ai këtë detyrë do ta marrë simbolikisht nga 28 nëntori.

AstraZeneca është një kompani farmaceutike dhe bioteknologjike britaniko-suedeze, me selinë e saj në Kampusin Biomjekësor të Kembrixhit, në Kembrixh, Angli.

AstraZeneca është një prej kompanive më të mëdha në botë që kanë arritur ta zhvillojë vaksinën kundër COVID-19./SHQIP.com