Lajme

“Një grusht qershi për kryeministrin”- PSD me aksion para Qeverisë

Partia Socialdemokrate ka realizuar një aksion përpara Qeverisë së Kosovës nën moton “Një grusht qershi për kryeministrin”.

Qershia janë hedhur në derën kryesore përpara Qeverisë së Kosovës nga aktivistet dhe nga vetë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Molliqaj tha se qershitë i kanë sjellë për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ‘hëngër’ fjalët e tij me marrëveshjen e mbrëmshme.

“Në marrëveshjen ë mbrëmshme, kryeministri e ka pranuar edhe Asociacionin dhe krejt këto janë në kuadër të qasjes së tij për të mashtruar me opinionin publik dhe për ta dëmtuar atë. Kryeministri i ka hëngër të gjitha fjalët e tij sikur fabula që është për qershitë. Ne besojmë që qershitë duhet t’i han kryeministri dhe dëmet nuk duhet ti ketë populli”, tha Molliqaj.

Tutje, Molliqaj tha se plani franko-gjerman nuk parasheh njohjen e Serbisë për Kosovën.

“Përmes kësaj periudhe, e morëm vesh që Qeveria e Kosovës e ka pranuar planin franko-gjerman, plan që nuk ka njohje nga Serbia për Kosovën. Mbrëmë, kryeministri i Kosovës përmes vartësit të tij ka hequr dorë nga të gjitha këto manovra sepse kuptoi që kjo nuk po i kryen punë më e në kuadër të kësaj ka vendosur që ti rreket punës për ta pru një marrëveshje në Kosovë e që nuk është një marrëveshje përfundimtare”.

Krahas kësaj, Molliqaj njoftoi se do të ketë aksione të tjera për të kundërshtuar Qeverinë e që sipas tij janë simbolike dhe vetëdijesuese.

Dje, në Bruksel është arritur marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje parasheh anulimin e masave të mëtejshme lidhur me targat ilegale në Kosovë ndërsa, Qeveria e Serbisë obligohet që të mosleshojë më targa të cilët cilësohen ilegale për serbët që jetojnë në Kosovë.

/Shqip.com