Lajme Botë

Një grua e vdekur dhe 10 persona të humbur pas rrëshqitjes së dheut në ishullin italian të Ischia

Ishulli, në Gjirin e Napolit, u përfshi nga shi i madh gjatë natës, me rrëshqitje të dheut që goditi fshatin Casamicciola Terme herët të shtunën në mëngjes, duke përmbytur shtëpi dhe duke rrëmbyer disa makina.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha më herët se tetë persona kishin vdekur. Por deri të shtunën në mbrëmje pati një vdekje të konfirmuar me 10 persona ende të zhdukur.

Viktima e parë u konfirmua se ishte një grua, trupi i së cilës u gjet nga ekipet e shpëtimit, sipas një konference për media nga prefekti i Napolit, Claudio Palomba.

Ai tha se disa nga ata që u raportuan të zhdukur më herët u gjetën të sigurt, duke përfshirë një familje me një foshnjë të porsalindur, por rreth 10 persona të tjerë ishin ende të zhdukur nga mesi i pasdites.

Përpjekjet e shpëtimit u penguan nga reshjet e vazhdueshme dhe erërat e forta, të cilat gjithashtu vonuan tragetet që sillnin përforcime nga kontinenti.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, kishte paralajmëruar më herët se kishte njerëz të bllokuar në baltë, duke thënë se ishte një situatë “shumë serioze”.

Në zonën e prekur është ndërprerë energjia elektrike dhe rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara në banesat e tyre në fshatin Lacco Ameno, ku raportohet se janë shembur disa ndërtesa.

“Është një situatë e komplikuar, shtëpitë janë shkulur nga rrëshqitja e dheut,” tha shefi i policisë Tiziano Laganà për La Repubblica.

Kryetari i bashkisë së Ischias, Enzo Ferrandino, u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi.

I njohur për burimet e saj të nxehta natyrore, Ischia ka një popullsi prej rreth 20,000 banorësh dhe është e njohur për turistët italianë dhe të huaj. Tragetet për në dhe nga ishulli janë pezulluar.

Siç raporton The Guardian, në vitin 2017, Casamicciola u godit nga një tërmet në të cilin u plagosën 42 persona. Një rrëshqitje dheu në fshat në vitin 2009 vrau një vajzë 14-vjeçare.

Pjesa më e madhe e Italisë është goditur nga shirat e dendur gjatë javës së kaluar. Në shtator, 13 njerëz u vranë nga përmbytjet e mëdha në rajonin qendror Marche.

/Shqip.com