Lajme

Një ditë para udhëtimit të Bislimit, Lajçak takohet me të dërguarin gjerman

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me përfaqësuesin e Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin në Bruksel.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak tha se me Sarrazin shkëmbyen informacione rreth veprimeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

“Më vjen mirë që e shoh Manuel Sarrazi në Bruksel sot! Ne shkëmbyem në thellësi rreth veprimtarive tona më të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe punës së rëndësishme përpara”, shkroi Lajçak.

Kujtojmë se zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi do të udhëtojë për në Bruksel gjatë ditës së nesërme ku do të pritet në një takim nga Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Bislimi nesër udhëton për në Bruksel – SHQIP.com

Vizita e Bislimit në Bruksel është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Bislimi do të takohet edhe me nënkryetaren e Komisionit Evropian, Vera Jourova.

Nuk dihen ende arsyet e kësaj vizite dhe temat që do të diskutohen.

Herën e fundit që Bislimi ishte në Bruksel ishte për marrëveshjen për targa, e cila u arrit pas tetë orësh takime me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

/Shqip.com