Lajme

Një 4-vjeçar kafshohet nga qeni endacak në oborr të kopshtit në Prishtinë

Kafshimi i qenit,

Një fëmijë 4-vjeçar, të hënën është kafshuar nga qeni endacak në oborrin e kopshtit “Gëzimi Ynë”, Prishtinë dhe ka marrë lëndime në të dy këmbët.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar nëna e fëmijës Aridona Demolli-Lumi, e cila tha se djali i saj është sulmuar pasi kanë dalë më fëmijët tjerë në oborr në prani të mësueses.

“Gjatë ditës, fëmijët kanë dalë në oborr me prani të mësueses si zakonisht me lujt, mirëpo në oborr kanë qenë 3 qen endacak. Fëmijët tonë janë sulmuar ku njëri dhe ka kafshuar djalin tonë, i cili ka marrë plagë në këmbën e djathtë. Shqetësimi dhe trauma që kanë marrë fëmija është e patolerueshme. Secili prej fëmijëve që ka qenë prezent është tmerru dhe e kanë përjetu në mënyrë shumë të randë nga ana psikologjike”, ka thënë ajo.

Demolli-Lumi ka shtuar se është tmerruese që kjo të ndodhë në një institucion shtetëror, e aq më pak në një kopsht.

“Është tmerruese fakti që ka ndodh në një institucion shtetëror, e aq më pak në kopsht ku pritet që siguria e fëmijëve të jetë në maksimum”, u shpreh ajo.

Nëna e fëmijës ka treguar se kopshti kishte njoftuar ambulancën të cilët kishin pastruar plagët e fëmijës, por për shkak të plagëve i njëjti ishte dërguar edhe në Spital.

Në lidhje me këtë rast, Demolli-Lumi ka thënë se janë të njoftuar edhe Policia, e cila ka qenë e pranishme në kopsht pas incidentit, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë dhënë në përgjigje zyrtare për këtë rast.

Në lidhje me shqetësimet për sigurinë në këtë Kopsht, nëna e fëmijës thotë se përfaqësuesja e çerdhes i ka thënë se kanë pasur në vazhdimësi kërkesa të adresuara në komunë për këtë gjendje, por që nuk janë marrë veprime.

/Shqip.com