Lajme

“NISMA e ndarë” në Prizren, a do të ketë masa për mbështetësen e Haskukës?

Zyrtarja e Nismas Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimaj

“Për qëndrime individuale të askujt nuk përgjigjem unë”.

Kështu thotë sekretari për marrëdhënie publike dhe anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, për mbështetjen që zyrtarja e kësaj partie, Albulena Balaj-Halimaj, i ka dhënë kryetarit aktual të Prizrenit, Mytaher Haskuka, që po kandidon për të fituar edhe një mandat tjetër në krye të kësaj komune.

Shala në një përgjigje për Shqip.com, thotë se qëndrimi zyrtar i partisë është në mbështetje të marrëveshjes që Zafir Berisha e ka bërë për koalicion në Prizren.

Sipas tij, koalicioni i Nismës me Partinë Demokratike të Kosovës ka ardhur si “nevojë” e ndryshimit që i duhet qytetarëve të kësaj komune.

“Ajo që mund ta them unë në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe sekretarit për marrëdhënie publike është që vendimi i partisë prej organeve të Nismës në Prizren, e kryesuar nga kryetari i degës, z.Zafir Berisha në konsultime me qendrën në Prishtinë, ka qenë edhe marrëveshja të cilën z.Berisha e ka bërë për koalicion në Prizren”, ka theksuar ai.

“Sikurse Nisma edhe i gjithë elektorati i saj janë ftuar që të votojnë ndryshimin për të cilin kanë nevojë qytetarët e Prizreni”, shtoi më tej Shala.

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala

Duke mos dashur të komentojë mbështetjen që Balaj-Halimi i ka dhënë kandidatit për të cilin kjo parti po lobon që ta rrëzojë nga qeverisja e komunës, Shala thotë se mund të komentojë vetëm qëndrimet zyrtare të subjektit.

“Kështu që çfarë bëjnë individët, unë nuk komentoj, pra komentoj vetëm qëndrimet zyrtare të Nismës, që në këtë rast është marrëveshja që e ka vendosur dega atje në konsultim me selinë qendrore”, tha ai.

I pyetur nëse do të ketë masa për individët që dalin jashtë qëndrimeve të partisë, Shala tha se “është temë tjetër”, për të cilën ka refuzuar të flasë.

Ish-zëvendëskryeministrja dhe zyrtarja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka dalë kundër partisë së saj, duke i dhënë mbështetje Mytaher Haskukës.

Ajo qëndrimin e saj e arsyeton me faktin që nuk është pajtuar me vendimin e degës së partisë në Prizren “për krijimin e PAN-it, duke e ditur se këto koalicione vetëm e kanë dëmtuar partinë”.

“Nisma në zgjedhjet e 2017-tës ishte kundër po këtij kandidati të PDK-së i cili është edhe sot. Ne ishim munduar më shumë se sa për veten ta sjellim në qeverisje në Prizren Mytaher Haskukën, e ta rrëzojmë Shaqir Totajn. Pse është dashur t’i humbim 4 vite nëse qëllimi paska qenë që prap se prap të mbështetet PDK dhe Shaqir Totaj?”, shkruan ajo në Facebook.

“Unë jam dhe do të jem në Nisma derisa unë nuk vendos ndryshe, apo derisa organet e partisë nuk vendosin ndryshe”, shton Balaj-Halimaj.

Për përkrahjen e saj ndaj kryetarit aktual të kësaj komune, e ka falënderuar vetë Haskuka, duke publikuar një fotografi së bashku.

“E falënderoj Albulena Balaj – Halimaj, për mbështetjen e sinqertë në balotazhin e 14 nëntorit. Prizreni nuk kthehet mbrapa dhe reformat do të vazhdojnë. Gratë në politikë janë të guximshme dhe parimore, Albulena është njëra nga ato. Albulenë, respekt për guximin, sinqeritetin dhe parimet tuaja!”, ka shkruar Haskuka.

NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren, ditë më parë ka njoftuar për vendimin që në zgjedhjet e 14 nëntorit ta mbështesë kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

“NISMA në Prizren edhe në të kaluarën i ka shërbyer ndryshimit, ndryshim që për fat të keq para katër viteve ka qenë më shumë deklarativ se përmbajtësor, e për të cilën edhe qytetarët u bindën se qeverisja e keqe e viteve të fundit duhet të gjykohet me votë”, thuhet në njoftimin e Nismës më 3 nëntor.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Haskuka i LVV-së në zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë 39,72 për qind të votave, duke lënë në vend të dytë Shaqir Totajne PDK-së me gjithsej 31,41 për qind të votave. /Shqip.com