Ekonomi Biznes

Nisja e sezonit të verës, ATK paralajmëron masa

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve, të cilët në aktivitetet e tyre kanë veprimtarinë e gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë, që të deklarojnë saktë detyrimet e tyre tatimore, ndryshe do marrin masa.

Kjo thirrje është bërë në kohën kur këta sektor rrisin aktivitetin e tyre.

“Në sezonin e verës shumëfishohen aktivitetet e lartpërmendura, të cilat bazuar në aktivitetin që kanë, janë si një zinxhir, ku kryesisht janë shumë evidente ndeja të ndryshme, si në restorante ashtu edhe në diskoteka, në të cilat ndërlidhen pjesa e këndimit ose DJ, si dhe përgatitja nga sallonet e bukurisë dhe stilistet. Për ketë qëllim ATK ka dizajnuar projektin për Akomodim dhe Shërbime Ushqimore, i cili bazuar në të dhënat e përmbushjes, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2022. Modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, kanë nxjerrë faktorët të ndryshëm që kanë kontribuar në këtë përzgjedhjen e kësaj industrie si: pagesa/të hyra përgjithësisht të ulëta, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në cash të realizuara në mes të  konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ky institucion u bërë thirrje të gjithë personave e bizneseve të deklarojnë dhe paguajnë saktë obligimet e tyre të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor në fuqi, në të kundërtën do të fillojnë me verifikime dhe hapjen e kontrolleve tatimore, të cilat mund të rezultojnë me ndëshkimet nga parregullsitë dhe pasaktësitë e hasura.

/Shqip.com