Lajme

Nisin të mblidhen protestuesit në Rudar

Qytetarët kanë nisur të mblidhen para një proteste të madhe publike të planifikuar për sot në ora 12:00 në Rudar.

Të grumbulluarit kanë veshur transparenca dhe në njërën prej tyre shkruhet “Kurti, Kosova nuk është territori juaj, kjo është trashëgimia jonë”.

Në mesin e të mbledhurve ka edhe serbë nga veriu i Kosovës, por edhe nga jugu dhe enklavat që erdhën për të ofruar mbështetje, raporton Kosovaonline.

I ashtuqujturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit.

Kjo protestë vjen në kohën kur në veri janë bërë 13 ditë që kur serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në atë pjesë të vendit.

Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Sipas policisë, deri më tani janë vendosur nëntë barrikada në veri të Kosovës e krahas kësaj, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak mbesin të bllokuara.

Barrikadat janë vendosur që nga 10 dhjetori si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë e Beograd ku ka zhvilluar takime me krerët e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat në veri.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se barrikadat e vendosur në veri të vendit duhet të largohet para krishtlindjeve.

/Shqip.com