Lajme

Nis mësimi në Shqipëri, Rama nxënësve: Bëni qejf dhe punë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi

12 shtatori ka ulur për herë të parë në banka rreth 29 mijë nxënës. 

Risi e këtij viti të ri shkollor është Abetarja e unifikuar Shqipëri-Kosovë dhe futja e një lënde të re, ajo e Teknologjisë së Informimit dhe Komunikimit.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi dhe atë të Rinisë dhe Sporteve, Bora Muzhaqi vizituan shkollën “Jeronim de Rada” për t’i uruar nxënësve të klasës së parë fillimin e vitit të ri shkollor, raporton Abc news.

Rama kishte edhe një këshillë për nxënësit.

“Bëni qejf dhe punë. Puna është qejfi më i madh”, u tha kryeministri me nota humori.

Ai shtoi se duke qenë se për herë të parë futet mësimi i teknologjisë që në klasë të parë, u pa e udhës që të fillohet me 100 nxënës për të parë si do shkojë.

“Më pas menjëherë do shtojmë të tjera. Siç kemi folur do shtrijmë më tutje gjithë programin e kodimit në bashkëpunim me sipërmarrjet në mënyrë që të krijojmë një shtresë të re e cila ka filluar të formësohet”, tha ai.

Sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës rreth 29 mijë nxënës./Shqip.com