Lajme

Nis mbledhja e Qeverisë me 1 minutë heshtje, në nderim të heroit policor Afrim Bunjaku

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës nis me 1 minutë heshtje në nderim të heroit policor Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës në mbrojtje të shtetit.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dhe pjesëtarët e Policisë dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuar nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtjen, integritetin territorial dhe sovranitetin dhe vunë në vend dinjitetin e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani.

I pranishëm në mbledhjen komemorative ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës nga një grup shumë i armatosur i mbështetur nga Serbia.

“Reagimi profesional i Policisë së Kosovës rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit dhe konfiskimin e shumë armatimeve”, ka theksuar Kurti.

Në mbledhjen komemorative, të pranishëm ishin edhe familjarët e rreshterit Afrim Bunjaku. Vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka thënë se “janë krenarë me punën dhe heroizmin e babait”.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka marrë vendim që ta mbështesë familjen e policit, Afrim Bunjakut, i cili u vra në detyrë, nga grupi terrorist serb të dielën në Banjskë të Zveçanit.

Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për t’i ndihmuar më të dashurit e heroit të rënë në mbrojtje të rendit kushtetues.

/Shqip.com