Nis mbledhja e LVV-së, fjalë të mëdha për kryetarët e komunave veriore
Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ku pas disa fjalëve të kryesueses së këtij organi të partisë në pushtet, të pranishmit duartrokitën gjatë.
Para se të hapej mbledhja zyrtarisht dhe të miratohej rendi i ditës, Nagavci i falënderoi kryetarët e komunave veriore për “rezistencën dhe guximin”.
“Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj në radhë të parë kryetarët e komunave veriore për rezistencën dhe guximin e treguar gjatë këtyre ditëve”, tha Nagavci dhe posa e përfundoi fjalinë nisën duartrokitjet.
“Dua po ashtu ta përgëzoj dhe falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës me në krye kryeministrin Kurti, për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen me çdo çmim të interesave të Republikës, Policinë e Kosovës për gatishmërinë dhe luftën ndaj bandave kriminale, dhe i falënderojmë po ashtu të gjitha gazetaret dhe gazetarët që në kohë reale kanë raportuar nga këto komuna për ngjarjet e zhvilluara atje”, tha tutje Nagavci.
/Shqip.com