Sport Ndërkombëtar

Nis ‘Java Olimpike’, shumë aktivitete sportive do të mbahen në gjithë Kosovën

Nga sot deri më 16 qershor në për të gjitha komunat e Kosovës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive në kuadër të “Javës Olimpike” që organizohet nga Komitetit Olimpik i Kosovës.

Përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të të rriturve në aktivitete sportive është qëllimi kryesor i këtij aktiviteti.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ka thënë se motoja kryesore e këtij aktiviteti është marrja me sport sa më shumë që është e mundur.Ndërsa, kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, njëherit edhe kryetar i komisionit për organizimin e Javës Olimpike derisa zbuloi agjendën e kësaj jave, theksoi se të gjitha komunat e Kosovës do të kenë organizime të ndryshme sportive.

“Më datën 13 qershor është paraparë të mbahet tryeza e sportit në bashkëpunim mes Ministrisë për Kulturë, Rinisë dhe Sport dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, pastaj do të vizitohen kopshtet publike dhe private ku do të promovohen vlerat olimpike. Të njëjtën ditë do të zhvillohen aktivitete në komunat e Gjilanit, Malishevës, Hanit i Elezit, Drenasi dhe Fushë Kosova. Më 14 qershor, Federata e Sportit Universitar të Kosovës do të organizojë aktivitete të ndryshme sportive, kurse komunat që do të kenë aktivitete janë Vushtrria, Skenderaj, Peja, Istogu, Klina, Deçani dhe Juniku. Më 15 qershor do të mbahet turneu i futbollit i cili organizohet në stadiumin e Tokbahçës me pjesëmarrjen e ekipeve kryesisht nga institucionet sportive. Në të njëjtën ditë, komunat e Podujevës, Vitisë, Kamenicës, Obiliqit, Gjakovës dhe Rahovecit do të organizojnë aktivitete me fëmijët. Dita kryesore është ditën e premte ku do të shënojmë Ditën Olimpike. Me këtë raste do të mbahet edhe prezantimi i ekipit të Kosovës për Lojërat Evropiane ‘Krakov 2023’. Po ashtu do të organizohen aktivitete në komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Suharekës, Ferizajt dhe Lipjanit”, ka thënë Sylejmani.

Agron Dubovci, sekretar i Federatës së Sportit Shkollor deklaroi se fokusi kryesor do të jetë tek fëmijët para të cilëve gjatë kësaj jave do të prezantohen fituesit e medaljeve olimpike në mënyrë që edhe ata të frymëzohen që të sjellin medalje të nivelit të lartë në Kosovës në të ardhmen.

Aktiviteti kryesor do të zhvillohet të premten, më 16 qershor në “Ditën Olimpike”, ku edhe do të bëhet prezantimi i ekipit të Kosovës për Lojërat Evropiane “Krakov 2023”.

/Shqip.com