Lajme

Ngritët alarm për vjedhjen e trotinetëve në Prishtinë

F.L nga Prishtina, i mjaftuan vetëm 5 minuta për të blerë diçka në një market, që të mos e shoh më trotinetin e tij elektrik.

“Vetëm sa kam hyrë në market diku 5-6 minuta kam qëndruar në rrugën “Agim Ramadani” dhe kam parë që nuk është më. Rastin e kam paraqit në polici, por prapë asgjë. Policia tha se ka shumë raste të shpeshta të vjedhjes së tyre”, ka treguar ai për Shqip.com.

Qytetari nga Prishtina ka treguar se për ta blerë këtë pajisje transporti, i ishte dashur të shpenzonte një pagë.

“Nuk e ka vlerën e vogël dhe më të kam shkuar në punë. Mbeta keq, se për të kam shpenzuar një pagë diku. Nuk jam rasti i vetëm, por policia duhet që të punojë më shumë në këto raste”.

Ky është vetëm një nga rastet e shumta të vjedhjes së trotineteve.

Shumë prej tyre, raportohen në grupet e krijuara në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët.

SHQIP.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por të njëjtit kanë thënë se nuk bëjnë klasifikimin e llojit të vjedhjeve.

Sipas tyre, të gjitha rastet regjistrohen vetëm si vjedhje, duke mos specifikuar se për çfarë vjedhje bëhet fjalë.

Në të dhënat e dërguara për Shqip.com, në periudhën janar-shtator të këtij viti janë regjistruar në total, 3 mijë e 93 raste.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 238 raste tentim vjedhje.

Këto shifra janë më të ulëta krahasuar më ato të vitit paraprak, ku u regjistruan 3 mijë e 239 vjedhje dhe 233 tentim vjedhje.

Sa kushton një trotinet elektrike?

Çmimet për një trotinet elektrik dallojnë varësisht nga kualiteti i baterisë dhe gomës.

Duke përfshirë edhe detajet mekanike të mjetit, çmimi i tyre varijon nga 250 deri në 700 euro.

Rritja e vjedhjeve të trotineteve po ndodh në kohën kur në kryeqytet dhe jo vetëm, është rritur në masë të madhe përdorimi i tyre, çka shtyri Komunën e Prishtinës, të marrë vendim për ndalimin e ngasjes së motoçikletave, biçikletave dhe trotineteve elektrik, në sheshin e qytetit.

Por kjo masë duket të jetë e pamjaftueshme pasi, Policia e Kosovës shihet shpesh duke shqiptuar gjoba ndaj personave që ngasin trotinetë nëpër sheshin kryesor të Prishtinës. Kujtojmë se, Kosova ende nuk ka ligj që rregullon përdorimin e trotineteve elektrikë./

/Shqip.com