Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë pasi tentoi t’i japë ryshfet policit në kufi

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, pasi ka tentuar t’i japë ryshfet zyrtarit të Policisë së Kosovës në pikën kufitare të Vërmicës.

R.C,  i kishte ofruar mjete monetare zyrtarit të policisë në mënyrë që ky i fundit ta lejojë të hyjë në Kosovë pa certifikatë të vaksinimit.

“I pandehuri R.C., me datë 12.12.2021, rreth orës 20:30 min., në pikën kufitare të Vërmicës, kufiri Shqipëri – Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejt ofron dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër, personit zyrtar në mënyrë që ai person të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare:, thuhet në njoftim, përcjell Shqip.com.

“Gjatë kalimit të pikës kufitare të Vërmicës derisa ishte duke udhëtuar me automjetin “Mercedes 220 E” me targa regjistrimi të Republikës së Shqipërisë, së bashku me një pasagjere, i pandehuri në momentin kur afrohet për kontroll, duke ditur qe nuk ka certifikatë të vaksinimit, në lejen e qarkullimit të automjetit vendos një kartëmonedhë prej pesëdhjetë (50) euro, të cilën ia jep zyrtarit policor Sh.M”.

Pika kufitare në Vërmicë

Sipas njoftimit, zyrtari policor me të kuptuar arsyen e dhënies së parave, e ka lajmëruar rastin tek organet kompetente.

“Në momentin kur zyrtari policor i vëren paratë dhe e pyet se për çfarë janë këto para, i pandehuri përgjigjet se paratë i ka lënë për të, se nuk kanë certifikatë vaksinimi, nëse ka mundësi që tu lejohet hyrja në Kosovë. Me këto veprime i pandehuri R.C., ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit””.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.​/Shqip.com