Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj pesë personave të dyshuar në dhunimin e 11-vjeçares

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të cilët dyshohen se janë përfshirë në dhunimin e 11-vjeçarës në gusht të këtij viti në Prishtinë.

Sipas njoftimit të PTHP-së, tre prej personave që tashmë ndeshën me aktakuzë janë të mitur.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11 vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.

Prokuroria njoftoi edhe për veprat penale që rëndojnë mbi të akuzuarit.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”… dhe “Trafikimi me njerëz”… ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit. Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, “Trafikimi me njerëz “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi. Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”… si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

Ndërsa, për rastin e qershorit janë duke u zhvilluar proceset hetimore.

“Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”.

Një vajzë e mitur është dhunuar dy herë seksualisht në Prishtinë nga disa persona.

Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar Kallxo.com.

Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park derisa ishte duke ecur – SHQIP.com

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar Kallxo.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, dhunimin e kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart. Pas kryerjes së aktit nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari. Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Por, ky rast nuk është i vetmi – e mitura ishte dhunuar edhe një herë në qershor të këtij viti nga disa persona.

/Shqip.com