Ngjarje tragjike në Ksamil, vritet me thikë turisti portugez. Shpallet në kërkim pronari i “Principotes”, Bekim Bulica
Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes po zgjerohen.
Bekim Bulica është shpallur në kërkim pas vrasjes së turistit Miguel Mendes në Ksamil. Bulica rezulton pronar i lokalit “Principotes” ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa autoritetet po hetojnë personat e lidhur me konfliktin dhe rrethanat që pasuan krimin.
Për vrasjen është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap disa orë pas ngjarjes në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar edhe Moisid Matushajn, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Matushaj punonte gjithashtu si bodyguard në të njëjtin grup sigurie me Vatën dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen dhe se e ka ndihmuar atë të largohej nga vendngjarja.
Emri i Bekim Bulicës është përmendur më herët në materiale të lidhura me hetime dhe informacione për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Sipas informacioneve të publikuara më parë nga “Pamfleti”, autoritetet franceze kishin përcjellë drejt institucioneve shqiptare të dhëna për një rrjet shqiptar të shpërndarjes së kokainës në Paris, me të cilin lidhej emri i Bulicës.
Po sipas këtyre informacioneve, BKH kishte nisur verifikime për pastrim parash, ndërsa SHISH kishte raportuar më herët pranë institucioneve për aktivitetin e Bulicës.
Tashmë, pas vrasjes së turistit francez në Ksamil, Bekim Bulica është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e tij dhe të personave të tjerë në ngjarje.
Punonjësi i Policisë që punonte si badigard, dyshohet se ndihmoi Sokrat Vatën të arratisej pas vrasjes së turistit portugez
Burime nga Policia bëjnë me dije se Moisid Matushaj, i cili punon si bodyguard në të njëjtin grup të kompanisë “Orange Elite Security”, dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen e shtetasit portugez dhe se ka ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja.
Sipas burimeve, Matushaj punon si bodyguard me autorin e dyshuar Sokrat Vata, raporton A2. Ndërkohë, Matushaj rezulton edhe punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë specialist i hetimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
29-vjeçari nga Hasi, Sokrat Vata dyshohet se vrau me thikë mëngjesin e sotëm 20-vjeçarin nga Portugalia, Miguel Mendez.
Fill pas krimit autorin e kanë larguar nga vendngjarja dy turq, një djalë dhe një vajzë. Këta të fundit e kanë futur 29-vjeçarin në bagazhin e një makine dhe më pas janë larguar.
Megjithatë policia kishte futur në përgjim telefonin e autorit dhe me anë të valëve e ka ndjekur deri në Fier, ku e arrestoi.
Po ashtu mësohet se autori i dyshuar punonte si badigard në barin “Proncipot” pranë plazhit, ku ndodhi ngjarja.
“Molla e sherrit” ka qenë ngacimi i një vajze nga shtetasi portugez, i cili ishte në shoqërinë e disa të huajve.
Një tjetër shtetas i huaj, që ishte në shoqërinë e portugezit, ka mbetur i plagosur si pasojë e konfliktit.
©Shqip.com