Lajme

Nga nesër ndalohen vizitat familjare në burgje

Ilustrim

Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë vendim që të ndalohen vizitat familjare për të gjithë të burgosurit nga e shtuna e 22 janarit.

Po ashtu, janë ndaluar vikendet për të dënuarit në gjitha institucionet korrektuese dhe vizitat në lokalet e veçanta.

Ndërkaq, për të burgosurit janë dhënë udhëzime për të zëvendësuar veprimet që u ndalohen.

Atyre do t’u lejohet aplikimi i sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni: “Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe; Pastrimi i rrobave për të paraburgosur do të organizohet në Institucione”.

Nga këto masa përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe avokatët në rastet kur gjykimi është në zhvillim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet në njoftimin për media./SHQIP.com