Ekonomi

Nga ky muaj, do t’u ndahen shtesa nënave që kanë lindur fëmijë nga viti 2015 e tutje

Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar të premten se nga ky muaj, të gjitha nënat që kanë fëmijë të lindur nga data 1 janar 2015 do të marrin shtesa nga shteti.

Sipas njoftimit, aplikimi për fëmijët 2015+ do të jetë i hapur nga e shtuna e 16 tetorit deri më 24 tetor.

“Aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve

Më tej, ka thënë se pas pilotimit të masës së shtesave për fëmijë, kanë vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim.

“Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK”.

Pra tani e tutje, që të pranohet aplikimi, Murati ka bërë të ditur se duhet të siguroheni që llogaria është në emrin e nënës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin, sipas të cilit, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit përfitojnë mbështetje financiare prej 170 eurosh për gjashtë muaj, kurse ato të punësuara përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për 3 muaj.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave për fëmijë. Ata nga 0-24 muaj marrin nga 20 euro në muaj, derisa mbi 24 muaj deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj./Shqip.com