Lajme

Nga KRU “Prishtina” flasin për mundësinë e ngritjes së çmimit të ujit

Kompania e Ujësjellësit Prishtina.

“Një rritje simbolike e çmimit të ujit është normale, por ende nuk kemi marrë informacion zyrtar nga Autoriteti Rregullator”.

Kështu deklaroi të enjten ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa, pas paralajmërimeve se uji në Kosovë mund të shtrenjtohet.

Sipas tij, po flitet për një periudhë kur është ngritur edhe çmimi i energjisë elektrike dhe çmimet e tjera në treg.

Xhafa theksoi se janë ngritur për 200% materialet me të cilat rehabilitojnë infrastrukturën për përpunimin e ujit.

“Pjesa e tarifave fillon nga 1 janari i vitit 2022 e tutje. Sa i përket ngritjes së çmimit ne nuk kemi ende asnjë konfirmim zyrtar nga Autoriteti Rregullator se sa mund të ketë ngritje ose a do të ketë ngritje të çmimeve”, tha ai për EO.

“Ne kemi aplikuar tarifa të njëjta edhe për vitet vijuese, por duhet ta kuptojmë të gjithë që po flasim për një periudhë kur çmimet e energjisë elektrike janë rritur jashtëzakonisht shumë. Çmimet e kimikaleve me të cilët duhet ta trajtojmë ujin janë ngritur shumë”.

“Materialet me të cilat rehabilitojmë infrastrukturë janë ngritur mbi 200%, dhe kur i krahasojmë këto mbase një ngritje simbolike e ujit do të ishte normale”.

Sokol Xhafa – Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa

Rreth tri javë më parë, KRU “Prishtina” pati paralajmëruar se faturat e ujit mund të pësojnë rritje nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Ujësjellësi pati njoftuar se më 19 nëntor do të mbajë diskutim publik për të përcaktuar tarifat për periudhën 2022-2024./SHQIP.com