Lajme

Nga java e ardhshme stafi i gastronomisë duhet të jetë i pajisur me certifikatë të vaksinimit

Foto e ilustruar

Nga java e ardhshme stafi i gastronomisë në Kosovë duhet të jetë i pajisur me certifikatë të vaksinimit kundër COVID-19, në kuptim të operimit të biznesit, njofton Shqip.com.

Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, pas takimit të krerëve të kësaj shoqate me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Siç bëhet e ditur në njoftim, baza e takimit ishte “diskutimi për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga java e ardhshme, e që ndërlidhet me kërcënimin e shpërthimit epidemiologjik të variantit të ri të COVID-19, versionin Delta, përkatësisht me dhjetëfishimin e rasteve të reja pozitive”.

“Kjo e fundit, nga java e ardhshme do të fillojë të jetë e nevojshme edhe për stafin e gastronomisë që të jenë të pajisur me certifikatë të vaksinimit, në kuptim të operimit të biznesit, dhe do të pasojë pas më së shumti dy javësh edhe nevoja që qytetarët të kenë së paku një dozë të vaksinës, në rast të frekuentimit të të gjitha lokaleve të gastronomisë, si restaurante, kafiteri, salla të dasmave, klube të natës dhe aktivitete tjera”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, Shoqata e Gastronomëve ka theksuar se orari i operimit të bizneseve do të zgjatet deri në ora 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e po ashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës të cilat do të funksionojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit.

“Në rast të mosbashkëpunimit tonë, në fund me pasojat do të ballafaqohemi të gjithë, duke filluar nga ne e duke pasuar edhe me sektorë të tjerë”./SHQIP.com