Lajme

Nga Gjykata Kushtetuese te Presidenca? Kush është juristi i njohur që po lakohet si emri konsensual për President të Kosovës

Kosova vijon të jetë pa një president të zgjedhur, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të presidentes Vjosa Osmani. Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, detyra e kreut të shtetit po ushtrohet përkohësisht nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Ndërsa skena politike në Prishtinë mbetet në kërkim të një zgjidhjeje që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend, burime pranë zhvillimeve politike në Kosovë bëjnë me dije për Shqip.com se në diskutimet informale po lakohet emri i juristit të njohur Përparim Kalo si një kandidat i mundshëm konsensual për postin e Presidentit të Republikës.

Sipas të njëjtave burime, profili i Kalos shihet si një figurë mbi palët politike, me integritet profesional dhe përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë, çka mund ta bënte një alternativë të pranueshme për forcat politike që deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Një element që, sipas burimeve, e favorizon emrin e tij është fakti se Përparim Kalo zotëron edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, përveç asaj shqiptare, duke përmbushur kështu një nga kushtet për ushtrimin e funksionit të Presidentit të Kosovës.

Përparim Kalo është një prej juristëve më të njohur shqiptarë. Ai ka shërbyer për disa vite si anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, ndërsa përgjatë karrierës së tij është angazhuar në çështje të rëndësishme të së drejtës kushtetuese, arbitrazhit dhe legjislacionit tregtar. Kalo njihet gjithashtu si një nga themeluesit e studios ligjore “Kalo & Associates”, një prej zyrave më prestigjioze të avokatisë në Shqipëri.

Burimet theksojnë se deri në këtë fazë bëhet fjalë për diskutime jozyrtare dhe se emri i Kalos ende nuk është propozuar zyrtarisht nga asnjë subjekt politik. Megjithatë, ai konsiderohet si një nga figurat që mund të shërbejë për ndërtimin e një konsensusi politik në një moment kur Kosova po përballet me një ngërç institucional për zgjedhjen e presidentit të ri.

/Shqip.com