Lajme

Nga e hëna nis mësimi, Vitia prezanton masat e reja

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Shkollat dhe çerdhet e nisin punën nga dita e hënë, 27 shtatori 2021, njofton Shqip.com.

Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili në një konferencë për media tha se maksimumi i nxënësve të lejuar në klasë do të jetë 20.

“Shkollat dhe çerdhet e nisin punën nga dita e hënë, 27 shtatori 2021. Maksimumi i nxënësve të lejuar në klasë do të jetë 20”, ka thënë ai.

Poashtu, nga e njëjta ditë gastronomia do të zhvillojë aktivitetin e saj edhe në hapësira të brendshme.

Vitia më tej njoftoi edhe për lirimin e masave sa u përket disa aktiviteteve sportive dhe kulturore në ambiente të mbyllura dhe të hapura.

Ai tha se në ambientet e mbyllura do të lejohet prania e shikuesve në masën 10 përqind e kapacitetit, ndërsa në ambiente të hapura do të lejohet deri në 30 përqind e kapacitetit.

“Aktivitetet sportive në ambientet e mbyllura do të kenë prani të shikuesve deri në masën 10 për qind të kapacitetit, gjithmonë me dëshmi të vaksinimit apo me teste PCR apo serologjik”.

“Në ambientet e jashtme do të jetë me 30 për qind por prap duke i paraqitur këto dëshmi. E njëjta vlenë për aktivitetet kulturore sa i përket dëshmive të kërkuara”, njoftoi ai.

Vitia më tej u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, meqë imunizimi kolektiv sipas tij, ndihmon në lehtësimin e situatës së krijuar nga COVID-19. /Shqip.com