Kulturë

Nga dashuria për muzikën e deri te projektet e reja, Abazi tregon arsyet pse nuk shfaqet shpesh para publikut

Pas shumë vitesh në fushën muzikore, artisti Art Abazi është shprehur i zhgënjyer nga ajo që po bëhet me “muzikën”, ditëve të sotme.

Abazi, është artisti i njohur kosovar që me një këngë në vit, arrin t’i mbajë afër adhuruesit e muzikës së tij.

Edhe pse jo shumë i qasshëm në publik, koncerte e mbrëmje muzikore, Abazi, ka treguar se çfarë e bënë atë kaq të dashur e të veçantë dhe si i mbijetoj “botës” së klikimeve.

Nga dashuria për muzikën, hapat e parë e deri te planet për projektet e reja, më poshtë mund të gjeni intervistën që Shqip.com ka realizuar me këngëtarin.

Cila është gjëja më e mirë që ju gjeni te muzika?

Paqja

Pse keni zgjedhur këtë zhanër të muzikës?

Në fakt duhet ta pranoj, zhanri në të cilin unë e gjej vetën është zhanri pop dhe këngët që i kam realizuar së fundmi anojnë më shumë nga R&b, të kombinuara me ritme hip-hopi, që realisht nuk është se i kam shijuar shumë si projekte, pavarësisht faktit se nga publiku janë pritur shumë herë më mirë se këngët te cilat unë i dua mirëpo…

Meqenëse edhe vëllai juaj është këngëtar, a ka qenë indikator që edhe ju të bëheni pjesë e këtij arti?

Natyrisht, unë dhe Dreni jemi rritur në një shtëpi ku është dëgjuar dhe është luajtur gjithmonë një muzikë e mirëfilltë, pastaj Dreni është pothuajse 4 vite më i madh se unë kështu që nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pavarësisht qe ai me orkestrën e tij i përkasin një fryme krejt tjetër.

Cilat kanë qenë hapat e parë në këtë fushë dhe si është treguar tregu dhe publiku shqiptar karshi juve?

Unë, përveç qe kam qenë gjithmonë i angazhuar e aktiv nëpër eventet shkollore, atyre të organizuara në shoqëri etj.. unë publikisht për herë të parë jam paraqitur në vitin 2013, në Top Fest e kështu me radhë.. Sa i përket pyetjes suaj unë lirisht mund të them që publiku me ka dashur shumë herë më shumë se sa e kam merituar dhe e meritoj.

Këtë e them për faktin se është e vështirë të të ketë dikush në mendje nëse ti paraqitesh vetëm 1 herë në vit me një këngë, kështu qe përkundër këtij fakti, këngët dhe aktivitet e mija çuditërisht kanë zgjuar gjithmonë kureshtje të konsiderueshme andaj unë me çiltërsinë më të madhe e them se jam më shumë se mirënjohës ndaj tyre.

Muzika që ju bëni, pëlqehet mjaft nga publiku, pse lansoni shumë rrallë projekte muzikore?

Sepse të realizosh projekte ashtu siç duhet dhe me sasinë që realisht nevojitet për të qenë të fuqishëm ne treg, duhet te investosh shumë. Një kosto të tillë unë e kam pasur të pamundur ta kem në dispozicion kështu që sipas mundësive.

Sipas jush, cili është sekreti që një artist t’i mbijetoj trendëve dhe kohës?

Cilësia, cilësia dhe vetëm cilësia, asgjë tjetër.

Pse nuk ju shohim shpesh në mbrëmje muzikore dhe koncerte?

Jo shpesh po unë nuk jam fare i pranishëm në koncerte/mbrëmje muzikore. Kjo për faktin që e përmenda më lart. Të jesh i pranishëm në organizimet e tilla duhet të kesh çfarë t’i dhurosh publikut, për dallim prej meje që i kam të realizuara vetëm 8 këngë. Me kaq, nuk mund ta kesh vetëbesimin e duhur të paraqitesh para një publiku qe pret shumë më shumë.

Për kaq vite që jeni në fushën e muzikës, a mund të bëni dallimin mes asaj që ofrohet tash dhe asaj të disa viteve më parë?

Më besoni, jam kaq shume i zhgënjyer me atë se çfarë ka ndodhur viteve t ‘fundit, sidomos në muzikën tonë kështu që nuk gjej dot as fjalët e duhura për ta komentuar këtë çoroditje që realisht ka ndodhur.

A i shkruani vet tekstet e këngëve, dhe çfarë ju frymëzon më shumë?

Hmm, diçka shkruaj vetë, kur më vjen të shkruaj, diçka kanë shkruajtur të tjerët për mua. Nuk jam shumë i mirë në fakt për ta shprehur atë qe realisht ndjeje. Të paktën jo për ta nxjerrë atë që do t ‘doja ta nxirrja.

Për çfarë po punoni aktualisht? Cilat janë projektet e reja që presim nga ju?

Aktualisht po punoj për një këngë qe ka pasur të publikohej në fund të këtij muaji por që si duket do të më shtyhet për në mesin e Majit dhe gjithashtu po mundohem te punoj për ta siguruar një material interesant që do më përfaqësonte mua si artist, me të cilin material do të konkurroja në Këngën Magjike. Nuk e di nëse do të ndodhë. Do të doja por…

Dhe për fund, çfarë keni për të shtuar për të gjithë adhuruesit e muzikës tuaj?

Thjeshtë, ju don Arti!