Lajme Ballkan

New York Times i përgjigjet Vuçiqit: Ju keni lidhje me krimin, shkrimi ynë bazohet në fakte!

New York Times iu është përgjigjur akuzave të bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kritikoi ashpër artikullin e shkruar disa ditë më parë nga revista amerikane.

Në një përgjigje për mediumin Nova.rs, redaksia e The New York Times u përgjigj:

“Artikulli i shkruar nga New York Times mbi gjyqin serb dhe lidhjet ndërmjet lidershipit më të lartë të vendit me grupet e dhunshme të drogës bazohet në dhjetëra intervista, dokumente, transkripta gjyqësore dhe raporte rigoroze në terren nga Robert F. Worth. Çdo pretendim tjetër është i rremë“, thuhet në përgjigje.

New York Times e akuzon Vuçiqin se ka lidhje me krimin në Serbi.

Në një artikull të gjatë përmenden detaje të krimeve të kryera nga banda e Veljko Belivuk. Ai është lideri i Janjicarit, një grup i njohur i ashtuquajtur i tifozëve të futbollit.

“Lideri i kësaj bande është një huligan, tregtar kokaine, Veljko Belivuk, i akuzuar për vrasje dhe krime të tjera të rënda. Ai ka marrëdhënie të mira me policinë dhe agjencitë e inteligjencës. Ai dhe njerëzit e tij u fotografuan me njerëz të fuqishëm, mes tyre edhe djali i presidentit, Danilo Vuçiq”, thuhet në artikull.

Belivuk dhe 29 anëtarë të grupit të tij u arrestuan në vitin 2021. Sipas transkripteve të gjykatës, Belivuk më vonë pranoi se grupi i tij punonte nën urdhrat e Vuçiqit, “duke u shërbyer nevojave të shtetit”.

Presidenti serb hodhi poshtë të gjitha akuzat.

“E di që teksti është porositur nga Serbia. E marr mesazhin, nuk kam frikë, as nuk jam magjepsur nga gënjeshtrat që përhapin”, tha Vuçiq në përgjigje të artikullit.

/Shqip.com