Kulturë

“Netët e murtajës”, romani më i ri i Orhan Pamuk

Shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk, njëherësh fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006, e nisi këtë roman historik në vitin 2016, pa e ditur se ndërsa e shkruante, botën do ta kaplonte epidemia e COVID-19. Të ishte një profeci, nga ato që shkrimtarët kanë shpesh në jetëshkrimet e tyre?

“Është viti 1901. Sulltanesha Pakize, mbesa e Abdylhamitit, po shoqëron në anije të shoqin e saj mjek, pasha Nuriun, në një ekspeditë për në Kinë. Por për shkak se në ishullin e Mingerit ku ata ndalin rrugës, ka rënë murtaja, ata mbeten aty dhe përfshihen në ngjarjet që ndjekin përplasjet mes nevojës për karantinë dhe moskuptimit të izolimit si mjet shpëtimi, mes nacionalistëve dhe vendasve “të huaj”, mes pavarësisë nga oborri sulltanor dhe nevojës për pavarësi, mes kontrollit nga të huajt dhe pafuqia për qeverisje vendore, si pasqyrë e përplasjeve mes dy anëve të botës, Lindjes dhe Perëndimit”, ka shkruar shkrimtarja e njohur Flutura Açka, njëherësh botuese e këtij libri.

Vite pas ikjes nga ishulli i Mingerit dhe kur Perandoria Osmane po shpërbehej, sulltaneshës Pakize iu kërkua madje të drejtonte edhe shtetin e vogël shqiptar, i cili sapo kishte shpallur pavarësinë. Por, ndërsa lexonte libra për Shqipërinë dhe donte të njihej me shqiptarët, Fuqitë e Mëdha kishin vendosur Princ Vidin për ta drejtuar shtetin shqiptar.

Romani “Netët e murtajës”, i shkrimtarit Orhan Pamuk, gjendet në stendën e “Skanderbeg Books”, në Panairin e Librit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

/Shqip.com