Sport Shqiptar

Nesër pritet përmbyllja spektakolare e kampionatit

Edicioni 2022-23 në Prince Caffe Superligë do të përmbyllet me super derbin ndërmjet Trepçës dhe Pejës.

Kjo është finalja e pestë e “Play-off”-it dhe do të vendosë se, kush do të shpallet kampion. 2:2 është seria finale.

Edicioni po përmbyllet me super sfidë, ndërsa ka qenë njëri nga më interesantët në vitet e fundit, kurse interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos gjatë garave shtesë.

Në katër takimet finale, mitrovicasit dhe pejanët kanë fituar si vendas. “Xehetarët” fituan 94:86 dhe 97:90, kurse verdhezinjtë fituan 107:79 dhe 87:83.

Të enjten mbrëma nga ora 20:00 palestra “Minatori” pritet të jetë e stërmbushur, ashtu siç ka qenë në pjesën më të madhe të këtij edicioni, ndërsa përveç kampionit do të vendoset se, kush do të shpallet MVP.

Mitrovicasit për herë të fundit janë shpallur kampionë më 2012, kurse pejanët një vit më vonë, 2013. Në këtë edicion mitrovicasit fituan Kupën, kurse pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.

Në gjysmëfinale Trepça e ka eliminuar Sigal Prishtinën, ndërsa Peja eliminoi Golden Eagle Yllin.

/Shqip.com