Lajme

Nesër nis dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nesër më 11 prill fillon procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:30, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun, raporton Eo.

Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

/Shqip.com