Lajme

Nesër mblidhet grupi i ngushtë ndërministror i MD-së për vrasjen e sotme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Nesër do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi sëcilin veprim institucional lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave. Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”, shkroi Haxhiu.

Haxhiu tha se këto krime bëjnë të kuptojnë se femicidi është përhapur në shoqërinë tonë.

“Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.  Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.  Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta!  Kriminelit dënimin më meritor”.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda oborrit të QKUK-së.

Lidhur më këtë ngjarje për Shqip.com nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë Flora Ahmeti për Shqip.com.

Lexo edhe:

Vritet një person në oborrin e QKUK-së

Po ashtu Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim  dhe  po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes.

/Shqip.com