Lajme Ballkan

Nesër mbahen zgjedhjet lokale në 14 komuna të Malit të Zi

Zgjedhjet lokale në 14 komuna në Mal të Zi do të jenë testi më i madh i besimit të qytetarëve në partitë politike. Kjo provë vjen pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur u ndryshua pushteti në Mal të Zi.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë rreth 340 mijë zgjedhës, ku garojnë 100 lista zgjedhore për 481 këshilltarë në këto komuna. Gara do të zhvillohet mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi.

Në njërën anë janë partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç. Ato mbi 30 vite mbanin pushtetin në Mal të Zi. Në anën tjetër janë partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, grupime pro-serb dhe pro-rus.

Nga 14 komuna,që dalin të dielën në zgjedhje, nëntë janë qeverisur nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviq me partnerët në koalicion.

Por pas zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat humbi pushtetin në nivel shtetëror, kjo parti humbi edhe në disa komuna si në Nikshiq, Cetinë dhe Mojkovac./VOA

/Shqip.com