Lajme

Nesër hapet konkursi për pranimin e studentëve në konvikte dhe mensë

Qendra e Studentëve

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2021/2022, transmeton Shqip.com.

Sipas njoftimit të kësaj qendre, konkursi do të jetë i hapur prej datës 13 deri më 19 shtator.

Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online, në adresat zyrtare të QS, web faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë.

“Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës në bazë të rekomandimeve nga IKSHPK-ja, ka marrë të gjitha masat e nevojshme që këtë vit të pranojë rreth 4000 studentë. Qendra e Studentëve ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për studim”.

“Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs. Të gjithë studentët e pranuar, gjatë vendosjes në konvikte duhet të dëshmojnë përmes kartelës së vaksinimit se janë të vaksinuar ndërsa studentët e pa vaksinuar duhet të kenë testin PCR për COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë dhe do të i’u kërkohet periodikisht ky test”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se çmimi do të jetë 35 € për muaj, 20 euro banimi dhe 15 euro ushqimi. /Shqip.com