Nëpunësit e Ministrisë që drejtohet nga Liburn Aliu hynë në grevë

Disa nga institucionet e sektorit publik të Kosovës sot kanë filluar grevën e paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Sipas postimit të zyrtarit ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ali Sefaj edhe nëpunësitë e kësaj ministrie kanë hyrë në grevë.

Greva nga shumë prej institucioneve të Kosovës, është e mbështetur në kërkesën për shtesa prej 100 eurove deri në miratimin e ligjit të pagave.
Grevat nuk janë mirëpritur nga Qeveria e Kosovës e cila ka kritikuar vazhdimisht grevistët, madje kryeministri Albin Kurti u ka thënë grevistëve se nuk është koha për greva, por për punë.
Ndërkaq ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, paralajmërimet e SBASHK-ut për grevë i ka quajtur shantazh dhe ka thënë se greva është e papranueshme sepse i dëmton nxënësit.
Ditë më parë kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se greva nis nga 25 gushti dhe do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre./Shqip.com