Lajme

Nëntë punëtorë humbën jetën vitin e kaluar në punë, kryeinspektori Nikçi thotë se duhet angazhimi edhe i 100 inspektorëve

Gjatë vitit të kaluar nëntë punëtor humbën jetën e 188 të tjerë u lënduan në vendin e  tyre të punës.

Në bazë të kësaj statistike del se niveli i sigurisë në punë në Kosovë vazhdon të jetë problem.

Lidhur më këtë kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi thotë se inspektimet po vazhdojnë e bashkë me ta po janë edhe forcat e rendit.

“Gjatë vitit 2021, Inspektorati i Punës ka evidentuar 188 aksidente në vendin e punës, nga të cilat 139 kanë rezultuar me lëndime të lehta, 40 prej tyre me lëndime më të rënda dhe nëntë prej tyre kanë rezultuar me fatalitet në vendin e punës. Në fakt kur e kam marrë këtë pozitë institucioni tjetër që kemi pasur bashkëpunim ka qenë vetëm Policia e Kosovës, kështu që me Policinë kam trashëguar një bashkëpunim ku Inspektorati i Punës ka ndërmarrë aksione në biznese të ndryshme, si në gastronomi, ndërtimtari dhe këtu operacione kanë rezultuar shpesh të suksesshme”, thotë Nikçi.

Më tutje Niçki thotë se në momentin që ka marrë detyrën në Inspektoratin e Punës ka gjetur vetëm 31 inspektorë.

“Sfidat që i kam gjetur dhe i kam konstatuar me marrjen e mandatit janë të shumta, fillimisht duke u nisur me numrin e vogël i inspektorëve të punës. Me 1 qershor të këtij viti, Inspektoratin e Punës e kam gjetur me 31 inspektorë”, thotë Nikçi.

Ai thotë se ka shpallur një konkurs të brendshëm për 27 pozita për inspektorë.

“Unë kam shpallur një konkurs të brendshëm në shërbimin civil për 27 pozita për inspektorë dhe nga ky konkurs kemi arritur t’i rekrutojmë vetëm katër inspektorë, dy në regjionin e Prishtinës dhe dy në regjionin e Gjakovës. Sido që të jetë me 35 inspektorë prapë numri është i vogël për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve”, u shpreh ai.

Për vitin 2023 kemi planifikuar dhe buxhetuar edhe për 100 inspektorë të ri të punës, të cilët përgjatë vitit 2023 në faza të ndryshme do të shpallim konkursin dhe me angazhimin e këtyre 100 inspektorëve të ri zbatimi i ligjit do të jetë në nivel më të mirë, ka shtuar më tutje Nikçi.

Hekuran Nikçi morrin detyrën e Inspektorit të Punës me datën 2 qershor të këtij viti./Shqip.com