Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi

Dritan Abazoviq dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për medie me homologun malazez, Dritan Abazoviq, ka konfirmuar se është nënshkruar marrëveshja për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai ka theksuar se me këtë marrëveshje ofrohen mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil.

“E rëndësisë së veçantë sot është natyrisht nënshkrimi i marrëveshjes për shërbime ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ky është një hap sa i rëndësishëm, po aq edhe i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave tona. Marrëveshja që e nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta”, tha ai.

Sipas Kurtit, në kohë të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës.

“Jemi mirënjohës që në kohët më të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga fushata e gjenocidit dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit në vitër 1998-99. Në vitin e fundit kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi, krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 eksportet e Kosovës në Mal të Zi, janë rritur për 50 për qind”, tha Kurti.

Ai po ashtu tha se sot qytetarët e Kosovës, jo vetëm që shkojnë në Mal të Zi për të pushuar në bregdet, por edhe janë investitorë ekonomik.

“Sot qytetarët e Kosovës jo vetëm që kanë pushuar në bregdetin e Malit të Zi, por janë edhe investitorë të rëndësishëm, të cilët i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve tona…Sot punojmë ngushtë si dy shtete fqinje për të promovuar paqen e sigurinë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se sot kanë raportet të shkëlqyera me Kosovën.

Abazoviq në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, u deklarua se qasja e Malit të Zi ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se atje kanë ndodhur disa procese politike.

Ai në fund të konferencës ftoi kryeministrin Kurti për një vizitë në Podgoricë.

/Shqip.com