Lajme

Nënshkruhet marrëveshja “IPA 2022” me vlerë 62 milionë euro

Tomas Szunyog dhe Besnik Bislimi

Kosova dhe Bashkimi Evropian të premten e kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2022.

Ky nënshkrim u bë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje sot, Kosova përfiton edhe mbi 62 milionë euro nga BE-ja të cilat do të zbatojnë një sërë projektesh. Përveç fondeve të ndara nga BE-ja, fondet do të shtohen edhe nga buxheti jonë me mbi 4 milionë euro dhe po ashtu do të vijnë financime nga partnerët tjerë bilateral në masën e 24.88 milionë euro – gjithsej kjo marrëveshje zbaton fonde prej 91.83 milionë euro”, tha Bislimi.

Beslimi, mes tjerash, bëri të ditur se kjo është marrëveshja e tretë e nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së në kuadër të IPA-s.

“Sot kemi kënaqësinë të nënshkruajmë marrëveshjen e re financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022. Kjo është marrëveshja e tretë me radhë që po e nënshkruajmë në kuadër të programeve vjetore IPA 3”, tha Bislimi.

Kujtojmë se, rritja e përkrahjes financiare nga BE-ja është premtuar edhe nga zyrtarët evropian, duke thënë se ajo do te jetë një pako e ndihmave pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

/Shqip.com