Lajme

Nëna e Dardan Krivaqës nuk është e punësuar në Policinë e Kosovës

I dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa

Nëna e të dyshuarit kryesor, Dardan Krivaqa, për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, M.O., nuk është e punësuar në Policinë e Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se as nëna e tij dhe as ndonjë familjar i tij nuk është i punësuar në këtë institucion.

“Sa i përket nënës së të dyshuarit Dardan Krivaqa, ajo as s’ka qenë, as nuk është e punësuar në Policinë e Kosovës. Asnjë familjar i tij nuk është i punësuar”, tha Veseli për Shqip.com.

Babai i 18-vjeçares, M.O., kur është pyetur se a kanë qenë në dijeni se partneri i saj kishte probleme me ligjin, ka thënë se nëna e Dardan Krivaqës ka punuar në Policinë e Kosovës dhe ia ka mbyllur dosjet djalit të saj.

“Ne asgjë nuk kemi ditur, në policinë e Ferizajt 136 dosje edhe del prokurori thotë i kam veç 10, ku janë 126, policia i ka mbyll se mama e tij ka qenë në shërbim në polici”, është deklaruar ai për Top Channel.

Kurse, lidhur me vdekjen e 18-vjeçares, avokati i familjes, Gazmend Rexhepi, ka deklaruar se në raportin e autopsisë, thuhet se viktima kishte pësuar dhunë të rëndë dhe sistematike nga i dyshuari, Krivaqa.

Ndryshe, në mëngjesin 22 gushtit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu kishin dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Ferizajt 18-vjeçaren M.O.

Dy të dyshuarit janë duke u mbajtur në paraburgim deri në vendimin final të Gjykatës Themelore të Ferizajt./Shqip.com